Komisioni i Etikës në Kuvend ka vendosur përjashtimin me 60 ditë të gjashtë deputetëve të opozitës, pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë seancës parlamentare.
Vendimi është marrë pas kërkesës së mazhorancës për masa disiplinore ndaj ligjvënësve opozitarë, të cilët u përfshinë në tensionet e fundit në sallën e Kuvendit. Gjashtë deputetët e përjashtuar për një periudhë prej 60 ditësh janë Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Edi Paloka, Besart Xhaferri dhe Luçiano Boçi.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar në "MCN Live" deputeti Edi Paloka, i cili e ka cilësuar këtë ndëshkim si një shkelje të hapur dhe flagrante të rregullores së vetë Kuvendit dhe Kushtetutës së Republikës. Paloka u shpreh se kjo frymë represive nuk e ndal dot aksionin opozitar, duke tërhequr edhe një paralele historike me fundin e regjimit komunist.
Jam te lista e deputetëve, ka pasur raste kur jam përjashtuar pa qenë fare në parlament, jo në këtë rast që isha i pranishëm, edhe pse janë në kundërshtim dhe me vetë rregulloren që ata vetë kanë bërë përjashtimin 60 ditë. Ata s’duan t’ja dinë as për ligje dhe as për Kushtetutë. Ne shkuam dje, por Edi Rama dhe Taulant Balla s’kanë asnjë ndryshim; ai që provokonte gjithë kohës bëri që të ndodhte ajo që ndodhi duke u sulmuar. E vetmja gjë për të cilën është i zoti ky kryeministër është korrupsioni, të korruptojë dhe të korruptohet. Dhe kjo kërkesa për dialog me studentët është diçka e baltosur, një plak i rrjedhur që s’ka më as fantazi edhe pse s’ka pasur kurrë, dhe kjo e dorëheqjes së drejtorëve është një nga ato lojërat e tij që shpreson t’i japë prapë pak frymëmarrje.
Më tej, Paloka theksoi se situata politike dhe shoqërore në vend ka arritur në një pikë kritike ku qytetarët po ndërgjegjësohen masivisht.
Rama sot ka kundër të gjithë botën dhe një situatë e ngjashme ka qenë në vitet 1988-1989. U krijua një frymë e tillë që kush nuk shante regjimin nxirrej jashtë. E njëjta frymë ka ardhur dhe sot dhe nëpër shkolla. Se di sa e drejtë është ky lloj imponimi, por fëmijët ndjehen keq kur nuk dalin në protestë sot, të rriturit po e po, u duket sikur janë jashtë pjesës kryesore. Por kjo situatë nuk ka më kthim, dhe sikur Rama të shtypë protestën. Tentativat kanë qenë për ta përjashtuar PD-në nga protesta që në fillimet e saj, por kjo është e pamundur, është absurde që dikush ta çoj nëpër mend që ta përjashtojnë PD nga protesta se ajo ka qenë gjithmonë aty në disa fronte. E para në protestë dhe pastaj pjesa tjetër më pak e dukshme ka qenë angazhimi i deputetëve nëpër komisariate, spitale apo avokatisë që i kemi bërë të ndalurave, pra PD është në të gjithë frontin e protestës pa tentuar të marrë frontin e protestës, sepse e kemi kërkuar dhe ne që kjo protestë të jetë e qytetarëve.



