Ndërsa Shtetet e Bashkuara intensifikojnë përpjekjet për të goditur bandat që trafikojnë drogë drejt territorit amerikan, ekspertët paralajmërojnë se një front kyç i luftës kundër krimit të organizuar po neglizhohet: burgjet e Amerikës Latine.
Shumë nga organizatat kriminale më të fuqishme në rajon nuk janë formuar në rrugë apo zona kufitare, por brenda burgjeve të mbipopulluara, të nënfinancuara dhe shpesh të vetëqeverisura. Sipas ekspertëve të sigurisë, të paktën dhjetë grupe kriminale të mëdha janë krijuar ose forcuar pas hekurave.
Sipas raportimit të CNN, një nga shembujt më të njohur është “Tren de Aragua”, banda venezueliane që u formua në fillim të viteve 2010 brenda burgut “Tocorón”. Fillimisht, grupi synonte të vendoste rend mes të burgosurve për të përmirësuar kushtet çnjerëzore të jetesës, por me kalimin e kohës u shndërrua në një organizatë kriminale transnacionale.
Në Venezuelë, të ashtuquajturit “pranes”, të burgosur që kontrollonin burgjet, taksonin të dënuarit, menaxhonin kontrabandën dhe drejtonin rrjete zhvatjeje e rrëmbimesh jashtë mureve të burgut. Edhe pse autoritetet pretendojnë se grupi u shpërbë pas një operacioni në vitin 2023, drejtuesit kryesorë mbeten ende në arrati.
Një dinamikë e ngjashme ekziston në Brazil, ku organizata si “Primeiro Comando da Capital” (PCC) dhe “Comando Vermelho” (CV) lindën në burgje si reagim ndaj mbipopullimit, dhunës dhe mungesës së shtetit.
Sot, PCC ka ndikim në rreth 90% të burgjeve të shtetit të São Paulos dhe kontrollon rrjete të fuqishme të trafikut të kokainës drejt Evropës. Sipas analistëve, burgjet shërbejnë si qendra komanduese, ku liderët urdhërojnë vrasje, zgjerim territorial dhe operacione droge, shpesh më të sigurt se jashtë tyre.
Në vende si Venezuela, Brazili dhe veçanërisht Ekuadori, përplasjet mes bandave rivale për kontrollin e burgjeve kanë sjellë masakra me qindra viktima. Në Ekuador, pas vrasjes së liderit të bandës ”Los Choneros” në vitin 2020, lufta për pushtet shkaktoi mbi 400 vdekje në burgje brenda tre vitesh.
Ekspertët thonë se burgjet janë kthyer në nyje kyçe të zinxhirit global të kokainës, duke ofruar logjistikë, ruajtje dhe mbrojtje për trafikun ndërkombëtar.
Qeveritë në Amerikën Latine po përgjigjen me politika të ashpra sigurie, të njohura si “mano dura”, që përfshijnë arrestime masive dhe ndërtimin e mega-burgjeve. Modeli i El Salvadorit, i udhëhequr nga presidenti Nayib Bukele, është bërë referencë për disa vende të rajonit.
Megjithatë, organizatat e të drejtave të njeriut dhe analistët paralajmërojnë se burgosja masive pa reforma strukturore vetëm forcon ekonominë kriminale brenda burgjeve dhe shtyn të rinjtë drejt bandave për mbijetesë.
“Nëse vazhdojmë t’i brutalizojmë njerëzit brenda burgjeve, ata do të dalin si ushtarë të krimit jashtë tyre,” paralajmërojnë ekspertët.



