Vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban, Aron Orban, u arrestua i akuzuar për trafik njerëzish.
Kryeministri hungarez Peter Magyar raportoi në mediat sociale, duke cituar informacione nga mediat lokale, se Aron Orbon është arrestuar nën dyshimin për trafikim njerëzor.
Megjithatë, autoritetet ligjzbatuese nuk e kanë konfirmuar ende arsyet e ndalimit të tij.
Ish-kryeministri hungarez Viktor Orban ka reaguar ndaj ndalimit të vëllait të tij.
“Sot, qeveria duhet t’i japë një shpjegim Komitetit të Sigurisë Kombëtare në lidhje me skandalin e spiunazhit. Kjo larje hesapesh është një manovër diversioni. Ajo që po ndodh në Hungari nuk është llogaridhënie, por larje hesapesh. Sa herë që qeveria e gjen veten në një pozicion të pakëndshëm, ndërhyn AVH (Autoriteti i Sigurisë Shtetërore). Qëllimi i kësaj loje të ndyrë është eliminimi i kundërshtarëve politikë dhe krijimi i një sistemi njëpartiak. Unë jam shënjestra, ndërsa vëllai im është thjesht një gur shahu”, shkroi Viktor Orbán në rrjetet sociale.
Emri i Aron Orban ishte shfaqur më parë në një hetim mbi abuzimet e dyshuara në lidhje me lëshimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj në bazë të punësimit.
Media lokale Telex raportoi se subjektet e bizneseve të lidhura me të mund të kenë lehtësuar mbërritjen e shtetasve vietnamezë në Hungari.
Kompania e tij, Multi Shoot Zrt., thuhet se regjistroi aplikantë vietnamezë për një kurs dy-ditor të ndihmës së shpejtë në Universitetin e Pecs dhe kjo mund t’i ketë ndihmuar ata të marrin viza Shengen.
Raportohet se Aron Orban iu drejtua një komisioneri qeveritar me një kërkesë për të përshpejtuar përpunimin e disa aplikimeve për vizë.



