Michigan po përballet me shpërthimin më të madh të regjistruar ndonjëherë të infeksionit parazitar ciklosporë, me 992 raste të konfirmuara dhe rreth 40 persona të shtruar në spital. Deri tani nuk është raportuar asnjë viktimë, ndërsa autoritetet shëndetësore ende nuk kanë identifikuar burimin e infeksionit.
Sipas autoriteteve, raste të ngjashme janë raportuar edhe në 28 shtete të tjera amerikane, ndërsa në Ohio janë konfirmuar qindra të infektuar.
Ciklospora është një parazit që transmetohet kryesisht përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar dhe shkakton diarre të fortë, e cila mund të zgjasë për javë të tëra. Sëmundja zakonisht trajtohet me antibiotikë dhe rrallë paraqet rrezik për jetën.
Ekspertët po hetojnë shpërthimin, por paralajmërojnë se identifikimi i burimit është i vështirë, pasi paraziti mund të lidhet me fruta, perime ose produkte të freskëta të kontaminuara.
Ndërkohë, autoritetet u rekomandojnë qytetarëve të lajnë me kujdes produktet e freskëta, të zgjedhin marule të plota në vend të sallatave të paketuara dhe, kur është e mundur, të konsumojnë perime të gatuara.



