
Mijëra protestues dolën në rrugë sot në Izrael, duke bllokuar autostradat dhe duke protestuar para shtëpive të ministrave të qeverisë Netanjahu, të cilës i kërkojnë të arrijë një marrëveshje për lirimin e 50 pengjeve që mbahen ende nga organizatat terroriste në Gaza.
Dita e veprimit, e njoftuar nga Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, filloi në orën 6:29 të mëngjesit - koha kur Hamasi nisi sulmin e tij më 7 tetor 2023 – ndërsa protestuesit shpalosën flamuj izraelitë jashtë Ambasadës Amerikane në Tel Aviv.
Demonstruesit bllokuan kryqëzimet kryesore në të gjithë vendin, duke ndaluar trafikun me tabela që nxisnin kthimin e të gjithë robërve dhe, në disa raste, duke i vënë flakën gomave në autostrada.
Rrugët kryesore, duke përfshirë Autostradën Ayalon të Tel Avivit, Rrugën 1 midis Jerusalemit dhe Tel Avivit dhe autostradën bregdetare Rrugën 2, ishin ndër arteriet e bllokuara për disa orë, raporton “Times of Israel”.
Policia theksoi se “liria e protestës dhe e shprehjes nuk është liri për të dëmtuar lirinë e lëvizjes së shumë të tjerëve”.
Të afërmit e pengjeve u mblodhën në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv për të dhënë një deklaratë për shtypin.
Einav Zangauker, nëna e një prej pengjeve, akuzoi se pas 690 ditësh lufte “pa një qëllim të qartë”, ishte bërë e qartë se Kryeministri Benjamin Netanyahu “ka frikë nga një gjë - presionin publik”.
Qeveria e tij, tha ajo, “sulmoi të mbijetuarit e robërisë dhe familjet e pengjeve - të gjitha në një përpjekje për t'i heshtur ata”.
“Ne kemi një komb të mrekullueshëm, por nuk ka qeveri”, tha ajo, duke i bërë thirrje publikut të bashkohet me protestat të martën. “Vetëm me forcën tonë mund të arrijmë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe t'i japim fund luftës. Qeveria i braktisi [pengjet], por kombi do t'i kthejë ata!”



