Koreja e Veriut ka dënuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Jugut, duke i cilësuar ato si një veprim që rrezikon stabilitetin në Azinë Lindore.
Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, akuzoi të dy vendet për “shkatërrimin e stabilitetit” rajonal ndërsa nisën stërvitjen e përvitshme ushtarake 10-ditore në Gadishullin Korean.
Në një deklaratë të publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve KCNA, Kim tha se shfaqja e forcës pranë territorit të Koresë së Veriut mund të shkaktojë “pasoja të tmerrshme të paimagjinueshme”.
Ajo paralajmëroi se vendi i saj do të monitorojë nga afër veprimet e kundërshtarëve dhe theksoi se “Armiqtë nuk duhet të vënë në provë durimin dhe aftësitë e Phenianit”.
Komentet e saj erdhën pasi SHBA-ja dhe Koreja e Jugut nisën të hënën stërvitjet e përbashkëta të quajtura “Mburoja e Lirisë”.
Manovrat do të zgjasin 10 ditë dhe do të përfshijnë rreth 18 mijë ushtarë nga të dy vendet, me qëllim përmirësimin e koordinimit dhe aftësive të reagimit të aleancës.
Sipas mediave të Koresë së Jugut, këtë vit do të zhvillohen 22 stërvitje në terren, më pak se gjysma e atyre të realizuara vitin e kaluar.
Megjithatë, Pheniani i konsideron ato provokuese dhe thekson se stërvitjet në shkallë të gjerë pranë kufijve të tij mbeten një kërcënim serioz për sigurinë e vendit.
Dy Koretë teknikisht janë ende në luftë që nga viti 1953, kur një marrëveshje armëpushimi ndaloi luftimet e Luftës së Koresë pa një traktat paqeje përfundimtar.



