Një ngjarje e rëndë ka tronditur Afganistanin mëngjesin e së shtunës, ku të paktën 10 nxënës kanë humbur jetën dhe 110 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm pranë një shkolle të mesme në kryeqytetin e provincës Kunar, Asadabad.
Sipas autoriteteve talebane, tragjedia nuk ishte një sulm terrorist, por pasojë e pakujdesisë me lëndët plasëse që përdoren në industrinë minerare.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Abdul Mateen Qani, deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se shpërthimi erdhi nga "neglizhenca dhe pakujdesia" në një depo eksplozivësh të kompanive minerare.
Zyrtarët lokalë sqaruan se lëndët plasëse po përgatiteshin për shpërthimin e shkëmbinjve në një shtëpi fare pranë Shkollës së Mesme Shagai.
Pamjet e publikuara tregojnë klasa të shkatërruara, xhama të thyer dhe çanta shkollore të mbuluara nga pluhuri, ndërsa dhjetëra fëmijë u dërguan me urgjencë në spital. Sipas Associated Press, rreth 15 prej të plagosurve vijojnë të mbeten të shtruar, ndërsa pjesa tjetër është liruar pas marrjes së ndihmës mjekësore.
Industria e minierave është një nga sektorët kryesorë në Afganistan, por mungesa e standardeve të rrepta të sigurisë shkakton shpesh aksidente vdekjeprurëse.
