Të paktën tre persona u vranë nga një zjarr i vënë nga protestuesit në një ndërtesë komunale në qytetin lindor indonezian të Makassarit, tha një zyrtar lokal për AFP, pas demonstratave në të gjithë vendin dje pas vdekjes së Affan Kurniawan, një shofer taksie i cili u godit nga një automjet policie.
Protestat në Makassar, qyteti më i madh në ishullin Sulawesi, degjeneruan në kaos jashtë ndërtesave të këshillit provincial dhe lokal, të cilave iu vu flaka dhe automjeteve, ndërsa protestuesit hodhën gurë dhe kokteje Molotov.
“Tre të vdekurit ishin bllokuar në ndërtesën që po digjej”, tha sekretari i qytetit Rahmat Mappatoba për AFP-në, duke akuzuar protestuesit se kishin hyrë me forcë në zyrë dhe i kishin vënë flakën. Dy nga viktimat ishin punonjës të këshillit, ndërsa i treti ishte një nëpunës civil.
Që nga e hëna e kaluar, vendi është tronditur nga protestat e shkaktuara nga pagat e ulëta dhe vendimi i qeverisë për të rritur përfitimet e qirasë për parlamentarët. Kjo përfaqëson një pagesë mujore prej 50 milionë rupish 3034 dollarë, gati dhjetë herë më e lartë se paga minimale në Xhakarta, mes pakënaqësisë në rritje të publikut me mënyrën se si qeveria po e trajton ekonominë.
Sindikatat kishin demonstruar edhe më parë, duke kërkuar paga më të mira dhe duke i bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë veprime kundër shkurtimeve masive të vendeve të punës të kohëve të fundit. Protestat, të cilat filluan në Xhakarta, janë përhapur në qytete të tjera të mëdha indoneziane, duke përfshirë Surabaya në Java Lindore dhe Medan në provincën e Sumatrës Perëndimore.
Kjo përfaqëson një sfidë të vërtetë për Presidentin Prabowo Subianto, i cili ka premtuar rritje të shpejtë për të transformuar ekonominë më të madhe të Azisë Juglindore në një fuqi të madhe globale. Por disa nga vendimet e tij, përfshirë shkurtimet buxhetore të shpallura këtë vit për të financuar programin e tij kryesor të ushqimit falas në shkolla dhe një fond të ri sovran pasurie, kanë shkaktuar pakënaqësi publike.
Përleshjet u përshkallëzuan të premten kur policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës për të shtyrë mbrapa qindra protestues në Xhakarta.
E gjitha filloi me një video që u përhap me shpejtësi në mediat sociale, e cila tregonte taksistin Kurnawianin duke u goditur nga një automjet i policisë indoneziane. Qindra protestues kryesisht shoferë taksish me motor, kolegë të viktimës, u mblodhën dje jashtë selisë së policisë paraushtarake në Xhakarta për të kërkuar përgjegjësi, dhe atje shpërthyen trazira.
Autoritetet po marrin në pyetje shtatë oficerë në lidhje me incidentin, u tha gazetarëve shefi i policisë së Xhakartës, Asep Edi Suheri.
Sipas Abdul Karim, kreu i Divizionit të Punëve të Brendshme të Policisë Kombëtare, shtatë të dyshuariy shkelën kodin e etikës së policisë, duke shtuar se oficerët do të mbahen për hetime të mëtejshme.



