Çdo dy minuta, një qytetar britanik diagnostikohet me kancer. 6.3 milionë raste të reja parashikohet të regjistrohen në 15 vitet e ardhshme. Kanceri i prostatës pritet ta kalojë kancerin e gjirit në renditjen tumoreve më të zakonshme: kanceri mashkullor do të ngrihet në vendin e parë me rreth një milion raste të reja, i ndjekur nga 906 000 diagnoza të reja të kancerit të gjirit dhe 821 000 të kancerit të mushkërive.
Projeksionet janë nga One Cancer Voice, koalicion prej 60 shoqatash të kancerit në Britani. Ky grupim po i bën thirrje qeverisë të angazhohet më shumë për parandalimin, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e vlerësuar të të gjitha kancereve: 14.2 përqind në 15 vjet.
Edhe në Itali, situata është e ngjashme. Francesco Perrone, president i Shoqatës Italiane të Onkologjisë Mjekësore (AIOM), thotë se ka një rritje të rasteve prej rreth 1% çdo vit. “Rastet e reja do të rriten deri në atë pikë sa të bëhen të paqëndrueshme për sistemet shëndetësore publike, si ato të Mbretërisë së Bashkuar dhe tonat, të cilat duhet të mbështesin koston e trajtimit për të gjithë qytetarët. Kjo është arsyeja pse është thelbësore të investohet në parandalim, në luftën kundër pirjes së duhanit, në diagnostikimin e hershëm, si dhe në terapi të reja të afta për të shpëtuar miliona jetë.
Kanceri i gjirit dhe i zorrës së trashë në Itali
Të dhënat më të fundit, të përfshira në vëllimin "Numrat e kancerit në Itali 2024", tregojnë se vitin e kaluar pati 390 100 raste të reja të diagnostikuara (214 500 tek burrat dhe 175 600 tek gratë). Kanceri më i diagnostikuar është kanceri i gjirit (53 686 raste), i ndjekur nga kanceri kolorektal (48 706), kanceri i mushkërive (44 831), kanceri i prostatës (40 192) dhe kanceri i fshikëzës (31 016).
Pse po rriten rastet e kancerit?
"Për një kombinim faktorësh," shpjegon Perrone, "sepse popullsia po plaket dhe kanceri është kryesisht një sëmundje e pleqërisë, por edhe sepse stilet e jetesës së pashëndetshme janë gjithnjë e më të përhapura, siç janë pirja e duhanit, obeziteti dhe mbipesha, një stil jetese sedentar dhe dieta e dobët. Shkak tjetër është edhe fakti që ne nuk mund ta kufizojmë ndotjen mjedisore, dhe gjithashtu sepse jemi në gjendje (falë kontrolleve dhe mjeteve diagnostikuese gjithnjë e më të sofistikuara) të zbulojmë gjithnjë e më shumë kancere të hershme".
Si mund ta shpjegojmë faktin që kanceri i prostatës do ta tejkalojë kancerin e gjirit, të paktën në Britaninë e Madhe?
"Ndoshta me përdorimin gjithnjë e në rritje të testit PSA", përgjigjet Sergio Bracarda, president i Shoqatës Italiane të Onkologjisë Urologjike (SIUrO). Një test i thjeshtë gjaku që mund të bëjë të mundur diagnostikimin e hershëm: edhe në Itali, 90% e rasteve zbulohen në fazat e hershme, kur kanceri është lokalizuar dhe ende nuk është metastazuar.
Megjithatë, duhet treguar shumë kujdes sepse në këtë mënyrë, zbulohen shumë raste shumë të vogla dhe jo-agresive të kancerit të prostatës që nuk do ta ndryshojnë kurrë jetëgjatësinë e një personi.



