Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka propozuar lirimin më të madh të rezervave të naftës në historinë e saj, në përpjekje për të ulur çmimet e naftës bruto që janë rritur ndjeshëm për shkak të tensioneve dhe konfliktit mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit. Lajmi u raportua nga The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë të njohur me çështjen.
Sipas raportit, sasia e naftës që mund të hidhet në treg do të tejkalojë 182 milionë fuçi, që ishte niveli i lirimit të përbashkët të vendeve anëtare të IEA-s në dy operacione gjatë vitit 2022.
Një vendim përfundimtar për këtë propozim pritet të merret të mërkurën. Mekanizmi i vendimmarrjes parashikon që masa të miratohet nëse asnjë nga vendet anëtare nuk paraqet kundërshtim.
Drejtori ekzekutiv i IEA-s, Fatih Birol, deklaroi se vendet anëtare disponojnë mbi 1.2 miliardë fuçi rezerva shtetërore të naftës për situata emergjente, si dhe rreth 600 milionë fuçi të tjera në rezerva industriale.
Ndërkohë, sipas një raporti të CNBC që citon të dhëna nga kompania konsulente Rapidan Energy Group, ndërprerja e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar ndërprerjen më të madhe të furnizimeve globale me naftë në histori, duke prekur rreth 20% të furnizimit botëror.
Për krahasim, ndërprerja më e madhe e mëparshme ishte gjatë krizës së Suezit në vitin 1956, kur u prekën rreth 10% e eksporteve globale të naftës, ndërsa Lufta e Gjirit në vitet 1990-1991 ndikoi rreth 9% të furnizimeve.
Më 2 mars, gjenerali i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Ebrahim Jabari, paralajmëroi se Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e eksporteve globale të naftës – mund të mbyllet si pasojë e operacioneve ushtarake të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.
Megjithatë, më 5 mars, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se ngushtica nuk ishte mbyllur zyrtarisht, por shumë anije, përfshirë cisternat e naftës, kanë shmangur kalimin për shkak të frikës nga sulmet e mundshme nga të dyja palët.



