FBI ka paralajmëruar departamentet e policisë në Kaliforni se Irani mund të ndërmarrë një sulm me dronë ndaj Bregut Perëndimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si hakmarrje për sulmet amerikane.
Sipas një alarmi të shqyrtuar nga ABC News, autoritetet amerikane kanë marrë informacione se Teherani mund të përdorë mjete ajrore pa pilot të lëshuara nga një anije pranë brigjeve amerikane për të goditur objektiva në Kalifornia.
“Kohët e fundit kemi marrë informacion se që nga fillimi i shkurtit 2026, Irani dyshohet se synonte të kryente një sulm të papritur duke përdorur mjete ajrore pa pilot nga një anije e paidentifikuar pranë brigjeve të SHBA-së, konkretisht kundër objektivave të paspecifikuara në Kaliforni, në rast se SHBA-të do të kryenin sulme kundër Iranit”, thuhet në paralajmërimin e shpërndarë në fund të shkurtit.
Sipas dokumentit, autoritetet nuk kanë detaje të tjera për planin e mundshëm.
Nuk kemi informacione shtesë mbi kohën, metodën, objektivin ose autorët e këtij sulmi të dyshuar.
Paralajmërimi erdhi në një moment kur administrata e presidentit Donald Trump ka nisur një fushatë të vazhdueshme sulmesh kundër Republikës Islamike, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë ndaj objektivave në Lindjen e Mesme.
Një zëdhënëse e zyrës së FBI-së në Los Angeles refuzoi të komentojë mbi raportin, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Autoritetet e inteligjencës amerikane kanë shprehur shqetësim edhe për përdorimin në rritje të dronëve nga kartelet e drogës në Meksika dhe mundësinë që teknologjia të përdoret kundër forcave amerikane pranë kufirit.
“Një raport i pakonfirmuar sugjeroi që udhëheqës të paidentifikuar të karteleve meksikane kishin autorizuar sulme duke përdorur dronë që mbanin eksplozivë kundër forcave të rendit dhe personelit ushtarak amerikan përgjatë kufirit SHBA-Meksikë”, thuhej në një buletin të shtatorit 2025.
Sipas ekspertit të sigurisë dhe ish-drejtorit të inteligjencës për Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA, John Cohen, rreziku i një “lufte me dronë” që mund të vijë nga Paqësori ose nga kufiri meksikan është real.
Ne e dimë që Irani ka një prani të gjerë në Meksikë dhe Amerikën e Jugut, ata kanë marrëdhënie, kanë dronë dhe tani kanë nxitjen për të kryer sulme. FBI-ja është e zgjuar që e publikoi këtë paralajmërim në mënyrë që shteti dhe autoritetet lokale të jenë më të afta të përgatiten dhe t’u përgjigjen këtyre kërcënimeve.
Ai shtoi se informacione të tilla janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zbatimin e ligjit.
Zyrtarët e inteligjencës kanë shprehur prej kohësh shqetësim se pajisje ose armë mund të vendosen paraprakisht në tokë ose në anije në det, për t’u përdorur në rast se SHBA ose Izraeli do të ndërmerrnin sulme ndaj Iranit.



