Dy nga aktivistët e flotiljes Sumud të cilët mbërritën në Turqi pasi u deportuan nga Izraeli kanë pohuar se aktivistja suedeze Greta Thunberg është keqtrajtuar gjatë ndalimit të saj.
Izraeli nuk ka komentuar mbi këto akuza, por Ministria e Jashtme izraelite më parë i kishte denoncuar si krejtësisht të rreme akuzat për keqtrajtim të aktivistëve.
Të shtunën pasdite, 137 aktivistë mbërritën në Stamboll, nga të cilët 36 janë turq dhe pjesa tjetër nga SHBA-të, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjeria, Maroku, Italia, Kuvajti, Libia, Malajzia, Mauritania, Zvicra, Tunizia dhe Jordania, sipas Ministrisë së Jashtme turke.
Dy aktivistë, malajziani Khajuani Helmi dhe amerikani Windfield Beaver, i thanë Reuters se ishin dëshmitarë të keqtrajtimit që pësoi Thunberg, duke thënë se ajo u shty dhe u detyrua të mbante një flamur izraelit.
“Ishte shkatërruese. Na trajtuan si kafshë”, tha 28-vjeçari Helmi, duke pretenduar se nuk u dhanë ushqim ose ujë të pastër dhe se ilaçet dhe sendet e tyre personale u konfiskuan.
Biver, 43 vjeç, tha se trajtimi i Thunberg ishte i tmerrshëm dhe se ajo po përdorej “për propagandë”, duke përshkruar se si u shty në një dhomë kur mbërriti Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, i cili është i djathtë ekstrem.
Ministria e Jashtme izraelite tha nëpërmjet platformës X se të gjithë të ndaluarit ishin të sigurt dhe mirë dhe se deportimet e tyre do të përfundonin sa më shpejt të jetë e mundur.
Në një postim tjetër, ministria akuzoi disa nga anëtarët e flotiljes për “pengim të qëllimshëm” të procesit të deportimit.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha më parë se 26 italianë ishin midis 137 të deportuarve, ndërsa 15 të tjerë mbeten në Izrael dhe do të deportohen në ditët në vijim.



