Gjermania dhe Franca kanë dalë me një nismë të re për të përshpejtuar procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke propozuar integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në strukturat evropiane përpara anëtarësimit të plotë.
Në një dokument të përbashkët të paraqitur para Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, Berlini dhe Parisi kërkojnë një proces më të thjeshtuar, më fleksibël dhe të bazuar në meritë për vendet kandidate.
Sipas propozimit, shtetet që avancojnë në reformat e kërkuara nga BE-ja do të mund të përfitojnë gradualisht nga disa prej avantazheve të anëtarësimit, përfshirë akses më të madh në tregun e përbashkët evropian, pjesëmarrjen në programe arsimore dhe kërkimore, si dhe integrimin në sektorë strategjikë si energjia, industria dhe tregtia e karbonit.
Dokumenti parashikon gjithashtu që përfaqësuesit e vendeve kandidate të marrin pjesë në disa mbledhje ministrore dhe samite të Bashkimit Evropian si vëzhgues, pa të drejtë vote.
“Politika e zgjerimit ka nevojë për një shtysë të re. Duhet të ofrojmë stimuj shtesë përmes një procesi gradual integrimi dhe të thjeshtojmë procedurat aktuale për ta bërë procesin më efikas”, thuhet në dokumentin franko-gjerman.
Dy vendet i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të hartojë propozime konkrete për zbatimin e këtij modeli, i cili synon të shpërblejë progresin e vendeve kandidate dhe të sjellë përfitime të prekshme para anëtarësimit të plotë.
Nisma vjen në një moment kur zgjerimi i BE-së ka marrë rëndësi të re gjeopolitike për shkak të luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve të Brukselit për të forcuar stabilitetin dhe ndikimin evropian në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore.
Aktualisht, Mali i Zi konsiderohet vendi më i avancuar në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka shënuar progres të konsiderueshëm në procesin e integrimit evropian.



