Fermerët në Spanjë kanë paralajmëruar se reshjet e rrëmbyeshme dhe erërat e forta kanë përmbytur tokat bujqësore dhe kanë shkaktuar dëme me vlerë miliona euro, ndërsa Spanja dhe Portugalia po përgatiten për mot edhe më ekstrem.
Sipas raportimeve, Gadishulli Iberik ka përjetuar një seri stuhish gjatë javëve të fundit, të shoqëruara me shi të dendur, bubullima, borë dhe stuhi të forta ere, ndërsa të shtunën pritet të mbërrijë Stuhia “Marta”.
Autoritetet bëjnë me dije se më shumë se 11,000 banorë janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre në rajonin jugor të Spanjës, Andalusi, për shkak të përmbytjeve.
Ndërkohë, rreth 170 rrugë janë mbyllur në të gjithë Spanjën, ndërsa në Portugali janë raportuar ndërprerje të shërbimeve hekurudhore.
Ministria e Bujqësisë në Portugali deklaroi të premten se vlerësimet paraprake tregojnë se humbjet në sektorin bujqësor dhe pyjor kanë arritur në rreth 750 milionë euro, si pasojë e stuhive që pritet të përkeqësohen në ditët në vijim.
Agjencia shtetërore spanjolle e meteorologjisë paralajmëroi se Stuhia “Marta” do të sjellë borë, kushte të rrezikshme në zonat bregdetare dhe reshje të tjera intensive.
Autoritetet kanë shpallur alarm portokalli, niveli i dytë më i lartë pas atij të kuq.
Miguel Angel Perez, përfaqësues i organizatës së fermerëve COAG në provincën Cadiz, deklaroi për televizionin spanjoll TVE: “Po bie shi pa pushim. Të mbjellat si brokoli, karrota dhe lulelakra janë nën ujë. Janë përmbytur mijëra hektarë. Kemi një katastrofë të vërtetë natyrore.”
Ai shtoi se stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha në prodhimin e këtij viti dhe fermerët do të kërkojnë ndihmë nga qeveria për të rimëkëmbur humbjet.
Përmbytjet kanë rritur gjithashtu frikën për rrëshqitje të dheut dhe dëmtime strukturore. Banorë të disa zonave në vargmalin Serranía de Ronda në Malaga kanë raportuar se toka është lëkundur për disa ditë, pas goditjeve të Stuhisë “Leonardo” gjatë javës.
Bashkia e Cortes de la Frontera deklaroi se nuk ka rrezik nga këto lëkundje, megjithatë specialistë të Këshillit Kombëtar të Kërkimeve Shkencore të Spanjës (CSIC) janë dërguar në zonë për monitorim.
Disa zona banimi pranë lumit Guadalquivir në provincën Cordoba janë evakuuar të premten, për shkak të rritjes së ndjeshme të nivelit të ujit.
Zëvendëskryeministrja spanjolle, María Jesús Montero, paralajmëroi se lumi pritet të arrijë nivelin maksimal të shtunën ose të dielën.
Në Portugali, reshjet e forta kanë detyruar tre qytete të shtyjnë votimet presidenciale të planifikuara për të dielën, duke i zhvendosur për javën e ardhshme.
Autoritetet portugeze kanë angazhuar mbi 26,500 punonjës shpëtimi për të përballuar pasojat e stuhive.



