Në moshën kur shumica e njerëzve përballen me vështirësitë e plakjes, japonezi Toshisuke Kanazawa vazhdon të thyejë çdo limit fizik.
Vetëm pak javë më parë, një ditë pas festimit të ditëlindjes së tij të 90-të, ai fitoi titullin e tij të 19-të kombëtar në kategorinë 85+ në Kampionatin Japan Masters të Bodybuilding, raporton theGuardian.
Me një trup të bronztë, muskuj të lëmuar dhe vena që i dallohen në krahë si kabllo, Kanazawa dëshmon se mosha është thjesht një numër.
I lindur në vitin 1936, Kanazawa e nisi rrugëtimin e tij si një notar i talentuar. Pasi një dëmtim muskulor ia ndërpreu ëndrrën olimpike, ai iu dedikua bodibildingut.
Në moshën 24-vjeçare fitoi titullin e parë Mister Japan dhe në vitin 1967 garoi në Mr. Universe krah emrave si Arnold Schwarzenegger.
Edhe pse u tërhoq në moshën 30-vjeçare, ai u rikthye në gara në moshën 50-vjeçare për të inspiruar bashkëshorten e tij që vuante nga një sëmundje kronike.
Ka eliminuar mishin dhe peshkun prej dekadash. Konsumon kryesisht oriz të kaftë, supë miso, natto dhe vezë të gjalla.
Nuk ka pirë kurrë duhan apo alkool në jetën e tij. Stërvitet 2 orë në ditë, 6 ditë në javë në palestren e tij në Hiroshima. Ka zëvendësuar peshat e lira me pajisje dhe ka reduktuar koktejet e proteinave nga 6 në 3 në ditë. Fle rregullisht 7 orë në natë për t'i dhënë kohë trupit të rikuperohet nga seancat e peshave.
Kanazawa nuk është i vetmi që sfidon kohën në Japoni.
Ai është pjesë e një brezi të jashtëzakonshëm të moshuarish që thyejnë rekorde botërore si Kazuyoshi Miura (59 vjeç)-futbollisti më i vjetër aktiv profesionist në botë, Shoko Yonezawa (91 vjeç)-notare që vendos rekorde botërore në kategoritë masters, Kenichi Horie (88 vjeç)-marinar që po përgatit një tjetër udhëtim solo pa ndalesa në Paqësor.
I pyetur për sekretin e tij më të madh, Kanazawa thotë me krenari se sekreti i tij është puna e palodhur pa asnjë lloj droge stimuluese: "Unë jam 100% natyral. Dhe siç e shihni, nuk e kam humbur ende mendjen, apo jo?"



