Trump: Ka shanse për marrëveshje me Iranin, bombardimet rikthehen nëse bisedimet dështojnë
Irani ka mohuar pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump se Teherani ka kërkuar një armëpushim dhe një raund të ri negociatash pas sulmeve ajrore të SHBA-së.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se nuk është bërë asnjë ofertë e tillë dhe theksoi se çdo kontakt me Uashingtonin do të vijojë vetëm përmes ndërmjetësve.
Sipas autoriteteve iraniane, Katari dhe Pakistani vazhdojnë përpjekjet diplomatike për të rikthyer marrëveshjen e armëpushimit të 17 qershorit, e cila më pas dështoi.
Nga ana tjetër, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh se ekziston një "mundësi e mirë" për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, por paralajmëroi se Uashingtoni është i gatshëm të rifillojë shpejt bombardimet e ndërprera gjatë fundjavës nëse negociatat nuk japin rezultat.
"Po bisedojmë pikërisht tani", deklaroi Trump para gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One, duke shtuar se, sipas tij, arsyeja pse Irani kërkon të rikthehet në tryezën e bisedimeve është se "i goditëm shumë fort".
Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta. Rebelët Houthi në Jemen njoftuan se kanë ndërmarrë sulme të reja me dronë ndaj infrastrukturës saudite të naftës, vetëm pak ditë pasi objektet e kompanisë Aramco u goditën gjatë fundjavës.
MCN Radio
103.1 FM
MCN Radio
103.1 FM
Intro
MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.