Shigeaki Mori, një i mbijetuar i bombardimit atomik të Hiroshimës, i cili u përqafua nga ish-Presidenti i SHBA-së Barack Obama gjatë vizitës së tij historike në qytet 10 vjet më parë, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare, raportuan mediat lokale të martën.
Përqafimi emocional midis Obamës dhe Morit, i cili ishte tetë vjeç kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhën bombën në Hiroshima në vitin 1945, u transmetua në të gjithë botën.
Asahi Shimbun dhe media të tjera lokale raportuan se Shigeaki Mori vdiq të shtunën në moshën 88 vjeç në një spital të qytetit. I njohur për kërkimin e tij mbi fatin e të burgosurve amerikanë të luftës në Hiroshima, Mori u hodh në një lumë nga forca e shpërthimit më 6 gusht 1945.
“Dola nga uji dhe pashë një grua që po vinte drejt meje”, i tha Mori AFP-së përpara se të takohej me Barack Obamën në Parkun Memorial të Paqes në Hiroshimës në vitin 2016.
“Kishte gjak në të gjithë trupin e saj dhe organet e saj vareshin nga barku. Duke i mbajtur ato, ajo më pyeti se ku mund të gjente një spital. Duke qarë, ika me vrap, e lashë vetëm. Njerëz që ishin ende gjallë shtriheshin përreth meje. Ika me vrap, duke shkelur mbi fytyrat dhe kokat e tyre. Dëgjoja britma që vinin nga një shtëpi e shkatërruar. Por ika sepse isha ende fëmijë, i paaftë për të ndihmuar”, tregoi ai.
Në vitin 2016, Barack Obama u bë presidenti i parë në detyrë i SHBA-së që vizitoi qytetin dhe i bëri një homazh prekës viktimave. Shigeaki Mori u përfshi nga emocionet kur i shtrëngoi dorën Obamës.
“Presidenti bëri një gjest sikur do të më puthte, kështu që u përqafuam”, u tha Mori gazetarëve më pas.
Rreth 140 mijë persona vdiqën në bombardimin e Hiroshimës, një shifër që përfshin ata që i mbijetuan shpërthimit, por më vonë iu nënshtruan ekspozimit ndaj rrezatimit.
Tre ditë më vonë, Shtetet e Bashkuara hodhën një bombë plutoniumi në qytetin port të Nagasakit, duke vrarë afërsisht 74.000 persona. Këto dy bombardime përshpejtuan dorëzimin e Japonisë dhe ndihmuan në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.



