Presidenti amerikan Donald Trump, po planifikon një takim me homologun e tij rus, Vladimir Putin, javën e ardhshme, raportoi New York Times, duke cituar dy burime të njohura me çështjen.
Më pas, Trump synon të organizojë një takim trepalësh me pjesëmarrjen e kreut të Kremlinit dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, thuhet në raportin e gazetës amerikane.
Sipas New York Times, Donald Trump i ka informuar homologët e tij evropianë rreth planit të tij.
Më herët gjatë ditës së sotme, Trump pretendoi se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, bëri përparim të madh në takimin e tij me Presidentin rus Vladimir Putin.
I dërguari im i posaçëm, Steve Witkoff, sapo pati një takim shumë produktiv me Presidentin rus Vladimir Putin. Të gjithë bien dakord që kjo luftë në Ukrainë duhet të përfundojë dhe ne do të punojmë drejt kësaj në ditët dhe javët në vijim.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se u informua nga homologu i tij amerikan Donald Trump për vizitën e Steve Witkoff në Moskë.
“Fola me Presidentin Trump. Kjo bisedë u zhvillua pas vizitës në Moskë të përfaqësuesit të Presidentit Trump, Steve Witkoff”, tha Zelensky në një postim në platformën X, duke shtuar se liderët evropianë morën pjesë në bisedë, por pa specifikuar se kush.



