
Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi në një deklaratë zyrtare sanksione të reja kundër Kubës. Në mënyrë specifike, masa synon anëtarët e familjes Castro dhe presidentin e ishullit, Miguel Diaz-Canel Bermudez.
Nga Zyra Ovale, Presidenti i SHBA-së Donald Trump e quajti ishullin “Një komb të dështuar. Në thelb është shembur. Ne thjesht duam që të jetë një vend i mirëqeverisur që mund të ushqejë njerëzit e tij.”
Midis atyre që u vunë në shënjestër ishin djali dhe një nip i ish-presidentit Raul Castro, i cili nuk mban më një pozicion zyrtar, por mbetet një figurë kyçe në vendimet për të ardhmen e ishullit.
Presidenti Miguel Diaz-Canel, gruaja e tij dhe djali i tyre i adoptuar u goditën gjithashtu nga sanksionet e fundit të departamentit të Thesarit të lëshuara të enjten, ashtu si Ministria e Forcave të Armatosura revolucionare dhe disa entitete të tjera.
SHBA kanë vendosur embargo ndaj Kubës për dekada të tëra, por Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur ndjeshëm presionin mbi ishullin në muajt e fundit dhe flet hapur për marrjen e tij.
Një bllokadë de facto e karburantit ka thelluar krizën energjetike të ishullit dhe ka goditur ekonominë e tij tashmë të brishtë.



