Bordi i arsimit i Teksasit miratoi të premten një listë leximi të detyrueshme për më shumë se 5 milionë nxënës të shkollave publike që përfshin fragmente nga Bibla , duke zgjeruar përpjekjet konservatore për të nxitur mësimet e krishtera në klasat amerikane.
Vendimi është cilësuar si një nga ndryshimet më të rëndësishme në sistemin arsimor të shtetit gjatë viteve të fundit dhe ka ngjallur debat të gjerë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas mediave amerikane, zbatimi i programit do të bëhet në mënyrë graduale, duke nisur nga klasat e arsimit fillor dhe duke u zgjeruar në vitet në vijim.
Autoritetet arsimore në Teksas kanë bërë të ditur se distriktet shkollore do të kenë mundësi ta adoptojnë programin, ndërsa synimi është që ai të zbatohet gjerësisht deri në fund të dekadës.
Mbështetësit e nismës argumentojnë se referencat biblike do t’i ndihmojnë nxënësit të kuptojnë më mirë historinë, letërsinë dhe zhvillimin kulturor të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se Bibla ka pasur ndikim të madh në formësimin e institucioneve dhe traditave amerikane.
Nga ana tjetër, kritikët e vendimit shprehen se përfshirja e teksteve fetare në shkollat publike mund të ngrejë shqetësime lidhur me ndarjen e fesë nga shteti dhe me respektimin e lirisë fetare të nxënësve që u përkasin besimeve të ndryshme ose nuk kanë besim fetar.
Debati është intensifikuar edhe për faktin se Teksasi është një nga shtetet më të mëdha në SHBA, me mbi 5 milionë nxënës në sistemin e arsimit publik, çka do ta bënte çdo ndryshim në programet mësimore me ndikim të konsiderueshëm në nivel kombëtar.



