Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar përmes mediave se ka siguruar 15 vite garanci për Ukrainën nga SHBA, duke thënë se është i gatshëm ta çojë në referendum kombëtar planin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës.
“Është i domosdoshëm një armëpushim 60-ditor për të organizuar dhe zhvilluar votimin për një referendum në lidhje me planin e paqes”, tha Zelensky.
Zelensky ka thënë se pjesa më e madhe e pikave të propozuara tashmë janë dakordësuar, edhe pse sipas tij mbeten disa çështje teknike që kanë nevojë për diskutime të mëtejshme.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Trump vlerëson se mundësitë për tu zgjidhur konflikti në Ukrainë janë të mëdha.
“Kemi mundësi të mira për ta zgjidhur konfliktin në Ukrainë. Mendoj se kemi shumë shanse për tja dalë. Kam zgjidhur tetë luftëra, dhe kjo është më e vështira nga të gjitha. Por besoj se do t’ia dalim”, tha Trump.
Ndërkohë gjatë ditës së shtunë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të marrë pjesë në një telefonatë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, si dhe me liderë të tjerë të Bashkimit Evropian. Ky komunikim telefonik, vjen një ditë para takimit të njoftuar në Mar-a-Lago, ku lideri ukrainas dhe presidenti amerikan pritet të vijojnë negociatat lidhur me një marrëveshje të mundshme me Rusinë.
Pavarësisht përpjekjeve të mëdha që po bëhen qoftë nga SHBA qoftë nga BE për ti dhënë fund konfliktit gati 4 vjeçar, Rusia ka vijuar më sulme dhe bombardime mbi Ukrainë. Infrastruktura energjetike, është sulmuar nga raketa ruse duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike (blackout) në disa zona të vendit. Sipas autoriteteve, sulmet kanë prekur edhe zona të banuara, pasi forcat ruse kanë sulmuar disa distrikte zona Kievit, duke dëmtuar ndërtesa banimi, kantierë ndërtimi dhe biznese, si dhe duke shkaktuar edhe të plagosur.



