Një anije turistike holandeze, e përfshirë nga një shpërthim i hantavirusit, po lundron drejt Ishujve Kanarie, ku autoritetet spanjolle kanë planifikuar ndërhyrjen mjekësore dhe menaxhimin e situatës.
Lajmi u konfirmua nga Ministria e Shëndetësisë e Spanjës, e cila theksoi se vendi do të ofrojë ndihmën e nevojshme për pasagjerët dhe ekuipazhin. Dy anëtarë të ekuipazhit, mes tyre edhe mjeku britanik i anijes, janë evakuuar me urgjencë drejt Ishujve Kanarie për trajtim të specializuar.
Gjithashtu, një person i tretë është transportuar pas lidhjes me një shtetas gjerman që ndërroi jetë. Në total, tre pasagjerë kanë humbur jetën që nga nisja e anijes nga Argjentina rreth një muaj më parë.
Anija “MV Hondius”, e operuar nga kompania Oceanwide Expeditions, kishte ndaluar në Kepin e Gjelbër, ku autoritetet po vlerësonin rastet që kërkonin evakuim të menjëhershëm. Aktualisht, në bord ndodhen rreth 149 persona nga 23 vende, të cilët janë vendosur nën masa të rrepta parandaluese.
Sipas operatorit, destinacioni i mundshëm është një nga portet në Gran Canaria ose Tenerife, ndërsa mbërritja pritet brenda tre deri në katër ditëve të ardhshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar se Kepi i Gjelbër nuk disponon kapacitetet e nevojshme për menaxhimin e situatës, duke e bërë Spanjën opsionin më të afërt dhe më të përshtatshëm.
Autoritetet spanjolle kanë siguruar se, pas mbërritjes, pasagjerët dhe ekuipazhi do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore të detajuara dhe do të trajtohen në ambiente të izoluara, për të shmangur çdo kontakt me popullsinë lokale dhe për të garantuar sigurinë e personelit shëndetësor.
Pas përfundimit të procedurave, personat në bord pritet të nisin kthimin në vendet e tyre të origjinës.



