Ka ndërruar jetë në spital herët në mëngjesin e kësaj të hëne, 24-vjeçari polak i dyshuar për masakrën e përgjakshme të së shtunës në qendër të Krakovit, njofton BBC.
Policia polake konfirmoi vdekjen e agresorit ultranacionalist, i cili u neutralizua nga forcat e armatosura brenda tre minutave nga nisja e sulmit.
Ndërkohë, hetimet kanë zbardhur detaje tronditëse: përpara se të dilte në shesh për të qëlluar mbi turistët, i riu kishte ekzekutuar brenda banesës prindërit dhe motrën e tij.
Numri total i të plagosurve ka shkuar në 16 persona, mes të cilëve dy oficerë policie dhe pesë shtetas të huaj.
Hetimet e koordinuara nga Ministria e Brendshme dhe policia e Krakovit kanë zbuluar se 24-vjeçari, emri i të cilit nuk konfirmohet zyrtarisht, ishte i frymëzuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë dhe njihej si ultranacionalist.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e autorit menjëherë pas sulmit, policia gjeti trupat e pajetë të tre personave.
Ata janë identifikuar zyrtarisht si babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 21-vjeçare e sulmuesit.
Mediat polake raportojnë se i riu nuk kishte leje për armëmbajtje dhe dyshohet se armët e përdorura në masakër i ka marrë pa autorizim brenda shtëpisë së familjes së tij.
Nga gjashtë personat e konfirmuar të vdekur në sheshin "Rynek Główny", katër gra dhe dy burra, autoritetet kanë saktësuar se jo të gjithë ishin vendas.
Katër prej viktimave në shesh janë shtetas polakë, ndërsa dy të tjerët janë një turist britanik dhe një grua me kombësi austriake.
Spitalet po trajtojnë 16 të plagosur. Ministria e Brendshme konfirmoi se mes tyre ka turistë nga Austria, Britania, Gjermania, Portugalia dhe Rusia.
Një detaj heroik ka dalë në dritë në lidhje me shpëtimin e njërit prej dy policëve të qëlluar, i cili ndodhej në gjendje kritike.
Dy kirurgë, të cilët ndodheshin rastësisht duke ngrënë në një lokal pranë sheshit në momentin e sulmit, nxituan menjëherë në terren duke u dhënë ndihmën e parë mjekësore dy efektivëve dhe vetë sulmuesit.
Sipas dëshmive, kjo ndërhyrje e shpejtë në rrugë i ka shpëtuar "padyshim" jetën oficerit të plagosur rëndë.
Qeveria polake ka shpallur zyrtarisht dy ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të masakrës së Krakovit, ku një 24-vjeçar ultranacionalist la të vdekur gjashtë persona në sheshin qendror dhe tre familjarët e tij në banesë.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, pasi udhëtoi me urgjencë drejt vendngjarjes, mbajti një qëndrim të prerë duke e klasifikuar sulmin si një akt të mirëfilltë terrorist.
Tusk u shpreh i tronditur nga përmasat e dhunës së shënuar këtë të shtunë, duke nënvizuar se vendi po përballet me një situatë të paprecedentë.
Ndërkohë, Sheshi Kryesor i Tregut në Krakov, i cili u blindua nga forcat e sigurisë, është rihapur zyrtarisht mbrëmjen e së dielës pas heqjes së kordonit të policisë.



