Kompania Deloitte do të rimbursojë pjesërisht një raport prej 290.000 dollarësh të paguar nga qeveria australiane, pasi raporti ishte i mbushur me gabime të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, duke përfshirë një citat të sajuar nga një vendim gjykate federale dhe referenca për punime kërkimore akademike joekzistente.
Raporti u botua fillimisht në faqen e internetit të Departamentit të Punësimit dhe Marrëdhënieve në Vendin e Punës të qeverisë australiane në muajin korrik.
Një version i rishikuar u botua në heshtje pak ditë më parë pasi studiuesi i ligjit të shëndetit dhe mirëqenies në Universitetin e Sidneit, Chris Rudge, tha se i kishte njoftuar mediat se raporti ishte “plot me referenca të sajuara”.
Deloitte shqyrtoi raportin prej 237 faqesh dhe konfirmoi se disa shënime dhe referenca ishin të pasakta, tha departamenti në një deklaratë të martën.
Versioni i rishikuar i raportit përfshin një zbulim se në krijimin e tij është përdorur një sistem gjuhësor i inteligjencës artificiale gjeneruese, Azure OpenAI.
Ai gjithashtu heq citimet e sajuara që i atribuohen një gjyqtari të gjykatës federale dhe referencat për raporte joekzistente që i atribuohen ekspertëve të ligjit dhe inxhinierisë së softuerëve.
Deloitte vuri në dukje në një seksion “Përditësimi i Raportit” se versioni i përditësuar, i datës 26 shtator, zëvendësoi raportin e publikuar në korrik.
“Përditësimet e bëra nuk ndikojnë në asnjë mënyrë në përmbajtjen thelbësore, gjetjet dhe rekomandimet në raport”, shkroi Deloitte.
Në fund të gushtit, Australian Financial Review raportoi për herë të parë se dokumenti përmbante gabime të shumta, duke cituar Rudge si studiuesin që identifikoi pasaktësitë e dukshme të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Rudge zbuloi gabimet e raportit kur lexoi gabimisht një pjesë ku thuhej se Lisa Burton Crawford, një profesoreshë e së drejtës publike dhe kushtetuese në Universitetin e Sidneit, kishte shkruar një libër joekzistent me një titull jashtë fushës së saj të ekspertizës.
“Menjëherë e dija se ose ishte halucinacion nga inteligjenca artificiale ose sekreti më i mirëmbajtur në botë, sepse nuk kisha dëgjuar kurrë për librin dhe tingëllonte absurd”, tha Rudge për Associated Press të martën.
Firmat e konsulencës Big Four dhe firmat globale të menaxhimit si McKinsey kanë investuar qindra miliona dollarë në iniciativa të IA-së për të zhvilluar modele të patentuara dhe për të rritur efikasitetin. Në shtator, Deloitte tha se do të investonte 3 miliardë dollarë në zhvillimin gjenerues të IA-së deri në vitin fiskal 2030.
Anthropic njoftoi gjithashtu një partneritet me Deloitte të hënën, i cili përfshin vënien e Cloude në dispozicion të më shumë se 470.000 profesionistëve të Deloitte.
Edhe pse firma do t’ia rimbursojë këstin e fundit të pagesës qeverisë australiane, senatorja Barbara Pocock, zëdhënësja e partisë së të Gjelbërve Australianë për sektorin publik, tha se Deloitte duhet të rimbursojë të gjithë shumën prej 290.000 dollarësh.
“Deloitte e keqpërdori inteligjencën artificiale dhe e përdori atë në mënyrë shumë të papërshtatshme: citoi gabim një gjyqtar, përdori referenca që nuk ekzistojnë”, deklaroi Pocock për Australian Broadcasting Corp.
“Çështja është zgjidhur drejtpërdrejt me klientin”, tha një zëdhënës nga Deloitte Australia për Associated Press.



