Në ditën e parë në burg, ish-presidenti i Francës ka nisur të shkruajë një libër. Avokati Jean-Michel Darrois ka dhënë disa detaje në lidhje me jetën e Nicolas Sarkozy në qeli.
"Sot u mor me sport, filloi të shkruante librin e tij. Ai është në një qeli nëntë metra katrorë dhe aty është shumë zhurmë gjatë gjithë kohës", ka rrëfyer ai.
Avokati shtoi se Sarkozy pati mundësi ta takonte gruan e tij, Carla Bruni, për herë të parë pasdite, në një nga tre takimet njëorëshe në javë për të cilat ai ka të drejtë.
"Dita e parë në burg është e tmerrshme, por ai e ka kapërcyer," përfundoi avokati.
I mbipopulluar, burgu ku po vuan dënimin Sarkozy, mban 1 237 të burgosur, kur kapaciteti i tij maksimal është 657. Ish-presidenti nuk po mbahet në seksionin "vulnerabël", por në izolim, jo për një dënim më të ashpër, por për t'u siguruar që nuk do të bjerë në kontakt me të burgosur të tjerë që mund t’i kërcënojnë sigurinë.
Me të mbërritur, Sarkozy u prit nga britma - jo dashamirëse - nga të burgosurit e tjerë, të tilla si "Oh, mirë se vini Sarkozy!" dhe "Sarkozy është këtu!".
Ai u njoh me rregullat e brendshme të burgut dhe iu kujtua pse ishte në burg: për komplot për të kryer krime që lidhen me financimin libian të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007.
Pasi i janë marrë gjurmët e gishtërinjve dhe një foto, ish-presidentit francez iu caktua numri i të burgosurit, së bashku me një kartë identiteti të brendshme të burgut. Sarkozy u detyrua të linte dokumentet e tjera dhe sendet e tij personale në një kasafortë të vogël, por iu lejua të mbante unazën e martesës. Pastaj, si çdo i burgosur tjetër, ai mori një "kit hyrjeje" me sapun, çarçafë, tenxhere dhe tiganë, letër dhe një stilolaps.
Ai u shoqërua në qelinë e tij, e cila ka një banjo me dush, një kuzhinë të vogël, një krevat, një tavolinë të vogël, një televizor të vogël dhe - telefonat celularë janë të ndaluar - një linjë telefonike fikse me 10 numra të paraautorizuar nga administrata e burgut, e cila mund të dëgjojë bisedat.
Pjesa më e vështirë është nata, sepse rojet, veçanërisht në fazën fillestare të paraburgimit, e ndezin dritën çdo orë për të kontrolluar të burgosurin për tendenca vetëvrasëse dhe sepse praktika standarde kërkon që të burgosurit e tjerë të brohorasin emrin e të sapoardhurit gjatë gjithë natës së parë. Dhe, edhe si Ministër i Brendshëm, Sarkozy nuk ka qenë kurrë i butë me kriminelët.



