
Tarifat e reja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për produktet nga dhjetëra ekonomi globale hynë në fuqi në mesnatë sipas orës së Uashingtonit, ora 06.00 e mëngjesit sipas orës sonë, duke përcaktuar rendin e ri tregtar të mbështetur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
“Miliarda dollarë, kryesisht nga vendet që kanë përfituar me padurim nga Shtetet e Bashkuara, do të fillojnë të rrjedhin në SHBA”, shkroi Trump në llogarinë e tij në rrjetin social, Truth, disa minuta para se tarifat të hynin në fuqi.
Për ekonomitë e prekura, rreth 90 shtete, këto tarifa zëvendësojnë tarifat prej 10% të vendosura që nga prilli për pothuajse të gjitha produktet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas presidentit amerikan, objektivi është të ribalancohet tregtia midis SHBA-së dhe partnerëve të saj, të cilët ai thotë se përfitojnë nga fuqia kryesore ekonomike në botë.
Tarifat e vendosura sot bien shtrihen, midis 15% dhe 41%.
Bashkimi Europian, Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilat janë ndër partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së, tani i nënshtrohen një norme prej të paktën 15%.
Trump goditi Indinë me një tarifë prej 50%, e cila do të hyjë në fuqi më 27 gusht, përveç nëse ajo ndalon blerjen e naftës ruse.
Ai kërcënoi gjithashtu me një tarifë 100% mbi çipat kompjuterikë të prodhuar jashtë vendit, ndërsa i shtyn firmat e teknologjisë të investojnë në SHBA.
Kjo ndodhi ndërsa Apple njoftoi një investim të ri prej 100 miliardë dollarësh në SHBA, pasi u vu nën presion nga Shtëpia e Bardhë për të zhvendosur më shumë prodhim në Amerikë.



