Prej disa javësh, protesta kundër emigrantëve po zhvillohen në qytete të ndryshme të Afrikës së Jugut, një vend që vazhdon të përballet me probleme të thella ekonomike dhe sociale të trashëguara.
Ajo që nisi si protesta lokale të organizuara nga lëvizja “March & March”, të fokusuara tek papunësia, kriminaliteti dhe mungesa e shërbimeve bazë, në disa raste është përshkallëzuar në sulme të dhunshme ndaj emigrantëve nga vende të tjera afrikane, duke shkaktuar reagime të forta në të gjithë kontinentin.
Protesta dhe akte dhune janë regjistruar në Johannesburg, Pretoria, Durban dhe Eastern Cape.
Në rrjetet sociale kanë qarkulluar video shqetësuese ku shihen persona që sulmohen pasi akuzohen se janë emigrantë të paligjshëm.
Sipas raportimeve, të paktën shtatë persona kanë humbur jetën nga këto sulme që prej marsit 2026.
Ministri i Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Afrikës së Jugut reagoi publikisht duke dënuar dhunën përmes një postimi në X, ku u shpreh:
Nuk duhet të humbasim ndjenjën tonë të humanizmit ndërsa përballemi me problemet që kemi si komb.
Ai shtoi më tej: “Nuk ka asnjë justifikim për të marrë ligjin në duart tuaja. Ligjet tona duhet të respektohen si nga qytetarët ashtu edhe nga vizitorët. Ne nuk e mbështesim emigracionin e paligjshëm dhe jemi të vendosur ta adresojmë këtë problem duke forcuar kapacitetet e agjencive ligjzbatuese dhe instrumentet tona ligjore.”
Në zonat urbane dhe lagjet e varfra, të goditura nga papunësia dhe pabarazia, emigrantët po shihen gjithnjë e më shumë si konkurrentë për vendet e punës dhe burimet sociale. Parti dhe lëvizje politike si Patriotic Alliance, ActionSA dhe uMkhonto we Sizwe kanë mbajtur qëndrime kundër emigracionit. Biznese të vogla në pronësi të shtetasve të huaj janë plaçkitur ose shkatërruar, ndërsa shumë persona kanë raportuar kërcënime dhe sulme fizike. Pamjet e dhunës të shpërndara në rrjetet sociale kanë rritur shqetësimin në vende të ndryshme afrikane. Qeveritë e Ganës, Mozambikut dhe Nigerisë kanë protestuar zyrtarisht duke kërkuar llogari nga Afrika e Jugut. Ghana madje i ka kërkuar zyrtarisht Bashkimit Afrikan që sulmet ksenofobe ndaj afrikanëve të përfshihen në axhendën e takimit të ardhshëm të liderëve afrikanë. Ndërkohë, vende si Kenia kanë lëshuar paralajmërime për qytetarët e tyre gjatë protestave.



