Aktori dhe regjisori legjendar amerikan Clint Eastwood i ka dhënë fund karrierës së tij si regjisor, duke u tërhequr zyrtarisht në moshën 96-vjeçare.
Lajmi është konfirmuar nga djali i tij, Kyle Eastwood, i cili në një intervistë për mediat ka bërë të ditur se babai i tij tashmë është pensionuar pas më shumë se gjashtë dekadash aktiviteti në industrinë e filmit.
Clint Eastwood u bë i famshëm në vitet 1960 dhe 1970 falë roleve të tij në trilogjinë e famshme të filmave western “Dollars”, të drejtuar nga Sergio Leone, si dhe në serinë e filmave “Dirty Harry”, ku interpretoi rolin e inspektorit të njohur të policisë.
Përveç suksesit si aktor, Eastwood ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme si regjisor, duke sjellë në ekran filma të vlerësuar nga kritika dhe publiku si Unforgiven, Million Dollar Baby, Mystic River dhe American Sniper.
Filmat “Unforgiven” dhe “Million Dollar Baby” fituan çmimin Oscar për Filmin më të Mirë, ndërsa Eastwood u vlerësua dy herë me Oscar për Regjinë më të Mirë.
Projekti i tij i fundit si regjisor ishte Juror 2, një thriller gjyqësor me një kast të njohur aktorësh. Ndërsa paraqitja e tij e fundit para kamerës ishte në filmin Cry Macho, ku interpretoi rolin kryesor.
Me tërheqjen nga regjia, Clint Eastwood mbyll një nga karrierat më të suksesshme dhe më jetëgjata në historinë e kinemasë amerikane.



