
Një zjarr i fuqishëm shpërtheu të martën në një ndërtesë banimi në Upper West Side të Manhattanit, duke përhapur flakë dhe duke hedhur mbeturina të zjarrta mbi trotuar, raportoi NBC News.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut (FDNY), zjarri nisi rreth orës 08:20 të mëngjesit në një ndërtesë gjashtë katëshe në rrugën 107 dhe Amsterdam Avenue, e cila mendohet të ketë rreth 40 njësi banimi.
Pamjet ajrore të transmetuara në CBS NEWS, treguan se i gjithë kati i sipërm ishte përfshirë nga flakët, me tym të zi që ngrihej poshtë çatisë. Zjarri dukej se po shponte strukturën e çatisë, teksa zjarrfikësit përpiqeshin ta kontrollonin nga ana e ndërtesës.
Një pjesë e anës së majtë të ndërtesës gjithashtu u shemb, duke lëshuar copa të zjarrta në rrugë. Një fragment i madh ra shumë pranë një automjeti zjarrfikës që ndodhej në vendngjarje.
Deri më tani nuk ka njoftime për të lënduar dhe shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve të shmangnin zonën, ndërsa personave të ndjeshëm ndaj tymit iu rekomandua të mbyllnin dritaret.



