Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord të vijojnë negociatat, pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve gjatë kësaj jave.
Megjithatë, ai bëri të ditur se armëpushimi i arritur mes dy vendeve muajin e kaluar tashmë ka përfunduar. Uashingtoni ka rritur gjithashtu presionin ndaj Teheranit që të ndalojë sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një zonë strategjike ku përplasjet e fundit kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës.
Deklaratat e Trump vijnë pas një jave të tensionuar, gjatë së cilës tre cisterna tregtare nga Katari dhe Arabia Saudite u sulmuan. Shtetet e Bashkuara iu përgjigjën duke goditur disa objekte iraniane, ndërsa Irani reagoi me sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në vendet e Gjirit.
Megjithëse e premtja u shënua nga një qetësi relative, ndërmjetësuesit rajonalë po përpiqen të rikthejnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund përfundimisht konfliktit që nisi më 28 shkurt me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit.
"Republika Islamike e Iranit na ka kërkuar të vazhdojmë bisedimet. Ne kemi rënë dakord ta bëjmë këtë, por Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qartë Iranit se armëpushimi ka përfunduar”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Më herët, Trump deklaroi se SHBA është e gatshme të shkatërrojë të gjitha zonat e Iranit nëse situata do të përshkallëzohet më tej.



