Departamenti Amerikan i Thesarit hoqi të mërkurën sanksionet ndaj udhëheqësit nacionalist serb të Bosnjës Milorad Dodik, aleatëve të tij, anëtarëve të familjes dhe kompanive të lidhura me ta, njoftoi Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja.
Reuters raporton se zyrtarët serbë kanë lënë të kuptohet se kanë punuar fshehurazi për të krijuar një lloj të ri marrëdhëniesh me SHBA.
Dodik është ish-presidenti i Republikës Autonome Serbe të Bosnjës, të cilit iu hoq mandati në gusht për shkak të një vendimi gjyqësor që e ndalonte të merrej me politikë.
Ai ka qenë nën sanksione të SHBA-së që nga viti 2017 për shkelje të traktatit të paqes së Dejtonit që i dha fund luftës etnike në Bosnjë në vitet 1990 dhe e mbajti vendin të paprekur.
Dodik, një nacionalist pro-rus, ka mbështetur ndarjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe ka refuzuar të japë dorëheqjen si president i saj.
Megjithatë, më 18 tetor, ligjvënësit serbo-boshnjakë emëruan një president të përkohshëm, duke pranuar zyrtarisht për herë të parë se Dodik po tërhiqej pasi një gjykatë shtetërore e ndaloi atë të merrej me politikë. Presidenti i përkohshëm, një aleat i Dodik, do të shërbejë deri në zgjedhjet e parakohshme presidenciale të planifikuara për 23 nëntor.
Parlamenti anuloi një sërë ligjesh separatiste që u miratuan gjatë vitit të kaluar pasi Dodik ishte akuzuar për kundërshtimin e vendimeve të të dërguarit ndërkombëtar të paqes në Bosnjë dhe të gjykatës kushtetuese.
Departamenti Amerikan i Shtetit i mirëpriti këto masa, duke thënë se ato ishin rezultat i përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-të “për të çaktivizuar krizën në Bosnjë dhe Hercegovinë”.



