Rusia ka paralajmëruar një valë të re “sulmesh sistematike” ndaj kryeqytetit ukrainas Kiev, vetëm disa ditë pas një prej bombardimeve më të mëdha që nga fillimi i luftës.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, objektivat e reja do të përfshijnë “qendrat e vendimmarrjes”, postet komanduese dhe objektet e prodhimit të dronëve në qytet.
Në të njëjtën deklaratë, Moska u ka bërë thirrje shtetasve të huaj dhe diplomatëve që të largohen nga Kievi “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke paralajmëruar gjithashtu qytetarët që të shmangin ndërtesat administrative dhe ushtarake.
Paralajmërimi vjen pas sulmeve masive të së shtunës në mbrëmje, të cilat sipas autoriteteve ukrainase lanë të paktën katër të vdekur dhe rreth 100 të plagosur në Kiev dhe zona të tjera. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Rusia përdori raketa balistike, raketa lundrimi dhe qindra dronë gjatë sulmit.
Moska pretendon se këto goditje janë përgjigje ndaj një sulmi ukrainas në një konvikt studentor në Starobilsk, ku autoritetet ruse thonë se humbën jetën 21 persona. Ukraina, nga ana tjetër, deklaron se objektivi ka qenë një njësi ushtarake ruse dhe jo civilë.
Sipas raportimeve, sulmet e fundit kanë dëmtuar gjithashtu objekte civile dhe kulturore në Kiev, përfshirë muze dhe zona banimi, ndërsa qyteti vijon të përballet me valë të përsëritura sulmesh ajrore.



