Kina ka njoftuar sanksione kundër 20 kompanive amerikane, përfshirë një uzinë të Boeing, në përgjigje të shitjeve të armëve në Tajvan.
“Ky transaksion prej 11miliardë dollarës, i dyti që kur Donald Trump u rikthye në pushtet, shkel parimin e një Kine dhe dëmton seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, deklaroi Ministria e Jashme në Kinë.
Ndër kompanitë amerikane të sanksionuara janë Northrop Grumman dhe fabrika e Boeing në St. Louis, Missouri, e cila është e përfshirë në ndërtimin e avionëve luftarakë F-15 dhe F-18.
Kina njoftoi se ato nuk lejohen më të punojnë me grupet kineze dhe çdo pasuri financiare që mund të kenë në Kinë është ngrirë.
Pekini ka sanksionuar gjithashtu dhjetë liderë të industrisë, duke i ndaluar ata të hyjnë në territorin kinez, përfshirë rajonet e veçanta administrative të Hong Kongut dhe Makaos, të cilat kanë shërbimet e tyre të imigracionit. Kina e pretendon Tajvanin si pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar pushtimin e tij me forcë.



