Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, duke deklaruar se palët janë “shumë afër” një zgjidhjeje që mund t’i japë fund konfliktit.
Gjatë një aktiviteti ekonomik në Las Vegas, Trump tha se Irani ka rënë dakord të dorëzojë uraniumin e pasuruar, një nga çështjet më të ndjeshme në negociata. Sipas tij, bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të rifillojnë që këtë fundjavë.
Më herët, nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan deklaroi se Irani është angazhuar të mos zhvillojë armë bërthamore dhe të dorëzojë atë që ai e quajti “pluhur bërthamor”, i cili besohet të jetë fshehur nën tokë pas sulmeve ajrore të vitit të kaluar nga SHBA dhe Izraeli. Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ndaj këtyre pretendimeve.
Trump gjithashtu u shpreh se konflikti po zhvillohet “shumë shpejt” dhe mund të përfundojë së shpejti, ndërsa la të paqartë nëse do të jetë e nevojshme zgjatja e armëpushimit aktual, i cili pritet të skadojë pas pesë ditësh.



