
Princesha Mette-Marit e Norvegjisë është vendosur në listën e pritjes për një transplant të mushkërive pasi shëndeti i saj u përkeqësua më tej, thuhet në një deklaratë të pallatit mbretëror sot.
Gruaja 52-vjeçare e Princit të Kurorës Haakon të Norvegjisë u diagnostikua në vitin 2018 me fibrozë pulmonare, një sëmundje kronike e cila shkakton njolla në mushkëri dhe çon në uljen e përthithjes së oksigjeni.
Si rezultat i sëmundjes kronike të mushkërive që i kërcënon jetën dhe pas ekzaminimeve të hollësishme mjekësore, Lartësia e Saj Mbretërore Princesha e Kurorës Mette Marit është vendosur në listën e transplantit të mushkërive.
Spitali Universitar i Oslos kishte deklaruar në dhjetor se po afronte koha kur do të duhej të kryhej një transplant, por deri atëherë princesha nuk ishte përfshirë në listën e marrësve të mundshëm në Norvegji.
Princi i Kurorës Haakon ndërpreu një vizitë zyrtare në Japoni në fillim të kësaj jave dhe u kthye në vendin e tij për të qenë pranë gruas së tij, ndërsa vajza e çiftit, Princesha Ingrid Alexandra, u kthye në Oslo nga Australia, ku po studion.
Sipas Profesor Are Holm të Spitalit Universitar të Oslos, përparimi i sëmundjes së mushkërive të princeshës është serioz dhe transplanti do të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur, tha ai në një deklaratë të lëshuar përmes pallatit.
Kryeministri norvegjez Jonas Gaard Støre e vlerësoi princeshën për transparencën në lidhje me gjendjen e saj, duke vënë në dukje se kjo mund të ndihmojë njerëz të tjerë që përballen me probleme të ngjashme.
Pallati njoftoi se princi i kurorës dhe princesha po shtyjnë festimin e 25-vjetorit të martesës së tyre, i cili ishte planifikuar për gusht të këtij viti.
Mette Marit ishte 25 vjeçe, një nënë beqare dhe një njeri i thjeshtë, kur takoi Haakon në vitin 1999 në një festival muzikor, duke filluar një lidhje romantike të pazakontë që shkaktoi një trazirë në media, por që përfundoi duke bërë për vete shumicën e norvegjezëve.



