Polaku Kubkowski bëhet personi i parë që përshkon me not 160 kilometra në Detin Baltik për 55 orë

Polaku Kubkowski bëhet personi i parë që përshkon me not 160 kilometra në Detin Baltik për 55 orë

Notari polak i ujërave të hapura, Bartlomiej Kubkowski, është bërë personi i parë që ka përshkuar me not Detin Baltik nga Suedia në Poloni, duke realizuar një udhëtim ekstrem prej rreth 160 kilometrash për 55 orë.

 

 

31-vjeçari nisi sfidën të premten nga Kåseberga, në jug të Suedisë, dhe mbërriti të dielën në mbrëmje në Dziwnow, në veriperëndim të Polonisë. 

Pamjet e publikuara nga ekipi i tij tregojnë momentin kur ai del në breg i rraskapitur pas më shumë se dy ditësh e dy netësh pa ndërprerje.

 

Gjatë gjithë udhëtimit, Kubkowski u përball me dallgë të forta, erë dhe temperatura të ulëta. Ai nuk preku në asnjë moment varkën mbështetëse, nuk doli në breg për pushim dhe nuk fjeti gjatë gjithë sfidës.

 

I njohur edhe me nofkën "Robbe", notari u ushqye dhe u hidratua vetëm me ndihmën e ekipit të tij, i cili i jepte ushqim dhe pije në shishe, pa shkelur rregullin që ndalon kontaktin fizik me mjetin mbështetës.

 

Sipas ekipit të tij, gjatë natës së dytë Kubkowski pati edhe episode halucinacionesh si pasojë e lodhjes ekstreme, por arriti ta përfundonte sfidën mes brohoritjeve të mbështetësve.

 

Sfida, e quajtur ‘Ultra Baltic Swim’, kishte edhe një qëllim bamirësie, pasi notari mblodhi fonde për Fondacionin e Luftëtarëve Kundër Kancerit.

 

Edhe pse përshkoi rreth 160 kilometra, Kubkowski nuk e theu rekordin botëror për notin më të gjatë të pandërprerë në ujë të hapur. 

Rekordi, i ratifikuar nga Federata e Notit Maratonë, mbahet nga amerikania Sarah Thomas, e cila në vitin 2017 notoi 168.3 kilometra në Liqenin Champlain, mes shteteve amerikane të Nju Jorkut dhe Vermontit.

 

Kubkowski kishte tentuar ta realizonte këtë kalim që prej vitit 2022. 

Në përpjekjen e vitit të kaluar ai iu afrua deri në 11 kilometra bregdetit polak, por u detyrua të ndërpriste sfidën për shkak të lodhjes së madhe dhe përkeqësimit të motit.

 

Ish-notari profesionist, i cili tashmë i është përkushtuar garave ultra në ujë të hapur, vitin e kaluar vendosi edhe një rekord botëror në pishinë, duke përshkuar 103.6 kilometra brenda 24 orëve.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy