
Presidenti ultraliberal i Argjentinës, Javier Milei, përshëndeti fitoren dërrmuese të partisë së tij në zgjedhjet e mesit të mandatit si një “pikë kthese” dhe u zotua të ecë përpara në rrugën e reformave.
“Këto zgjedhje janë konfirmimi i mandatit që morëm në vitin 2023”, tha Milei, duke iu drejtuar mbështetësve në Buenos Aires.
Me 97% të votave të numëruara, partia La Libertad Avanza (Liria Përparon) siguroi 40.7% kundrejt 31.6% të opozitës, duke hedhur poshtë shumë sondazhe që parashikonin një garë të ngushtë.
Partia e Mileit pritet të trefishojë fuqinë e saj parlamentare dhe me ndihmën e aleatëve të saj, nuk do të lejojë që opozita të anashkalojë veton e saj mbi ligjet që presidenti thotë se do të kërcënonin ekuilibrin fiskal.
Sipas Presidentit Milei, partia La Libertad Avanza do të rrisë numrin e deputetëve nga 37 në 101, nga një total prej 257 dhe numrin e senatorëve nga gjashtë në 20, nga një total prej 72.
Zgjedhjet e mesit të mandatit në Argjentinë ishin një provë për Milei, pasi ato do të përcaktonin nëse ai mund të vazhdonte reformat dhe politikat e ashpra shtrënguese në gjysmën e dytë të mandatit të tij.
Fraksioni presidencial arriti të rrisë pushtetin e tij në Kongres, duke forcuar besimin e tregut në qeverinë Milei dhe duke siguruar mbështetjen e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili kohët e fundit premtoi një paketë të madhe “shpëtimi” për ekonominë e Argjentinës, por kërcënoi të tërhiqej në rast të një pengese zgjedhore për homologun e tij.
Presidenti amerikan Donald Trump nxitoi ta uronte homologun e tij argjentinas për fitoren e tij në zgjedhje.



