Një varkë turistike që transportonte 115 persona u përfshi nga flakët pranë Fethiyes, në provincën jugperëndimore të Muglas, në Turqi, të enjten.
Pasagjerët, mes tyre edhe fëmijë, u detyruan të vishnin jelekët e shpëtimit dhe të hidheshin në det për t’u shpëtuar flakëve.
Ekipet e Rojës Bregdetare dhe anijet e tjera që ndodheshin pranë zonës u angazhuan për evakuimin e personave që kishin përfunduar në ujë.
Pas nxjerrjes në breg, pasagjerët u kontrolluan nga ekipet mjekësore. Raportet fillestare nuk bëjnë me dije për viktima.
Zjarri shpërtheu për një shkak ende të paqartë, ndërsa varka po kryente një të ashtuquajtur “tur blu” pranë Gjirit të Katrancit.
Ky term përdoret gjerësisht në Turqi për udhëtime turistike me varkë përgjatë gjireve dhe limaneve të bregdetit.
Ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi në bord, pasagjerët u hodhën në det me jelekë shpëtimi.
Në zonë u dërguan njësitë e Rojës Bregdetare, Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë Bregdetare dhe policisë detare, ndërsa edhe varkat e tjera pranë vendit të ngjarjes iu bashkuan operacionit të shpëtimit.
Sipas agjencisë IHA, në bordin e varkës ndodheshin 115 persona, ndërsa agjencia Anadolu raportoi se ekipet e emergjencës kishin evakuuar 107 persona ndërsa operacioni vijonte.
Flakët përfshinë pjesën më të madhe të varkës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Më vonë, raportohet se ajo nisi të fundosej.
Guvernatori i distriktit të Fethiyes, Fatih Akkaya, mbërriti në zonë pas incidentit dhe deklaroi se nuk ishin raportuar viktima. Ai tha se pasagjerët ishin nxjerrë në siguri nga anijet e Rojës Bregdetare dhe mjetet e tjera lundruese që ndodheshin pranë.
Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar. Autoritetet kanë nisur një hetim për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.



