Trajneri i kombëtares së Iranit, Amir Ghalenoei, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për trajtim të padrejtë ndaj ekipit të tij gjatë Kupës së Botës, duke i bërë thirrje FIFA-s që të ndërhyjë për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Pas barazimit 1-1 ndaj Egjiptit, Ghalenoei u shpreh krenar për paraqitjen e lojtarëve të tij, pavarësisht vështirësive me të cilat, sipas tij, u përball skuadra iraniane.
“Dua t’u them lojtarëve të mi se jam krenar për ta. Ajo që këta të rinj kanë bërë duhet të shkruhet në histori, sepse vendi pritës na trajtoi shumë padrejtësisht. Pavarësisht të gjitha këtyre problemeve, ne kemi arritur të paraqitemi mirë dhe bota është krenare për iranianët dhe ekipin tonë”, deklaroi ai.
Trajneri iranian i bëri gjithashtu thirrje FIFA-s që të marrë masa për të garantuar trajtim të barabartë për të gjitha ekipet në turnetë e ardhshëm.
“I kërkoj FIFA-s të mos lejojë që vendet pritëse t’i trajtojnë ekipet dhe lojtarët në këtë mënyrë në Kupat e Botës të ardhshme”, përfundoi Ghalenoei.



