Një sulm kibernetik ndaj agjencisë shtetërore ruse të statistikave, Rosstat, ka zbuluar humbje masive të Rusisë me mbi 412,576 certifikata vdekjeje që lidhen drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë.
Të dhënat u siguruan nga grupet e hakerëve "Cyber Partisans" (Bjellorusi) dhe "Silent Crow" (Ukrainë) dhe u ndanë me mediat ndërkombëtare si The Guardian. Ekspertët gjermanë vlerësojnë se për shkak të vonesave të regjistrimit, shifra reale e të vrarëve rusë aktualisht është më afër 500,000 vetave.
Shkalla e vdekjeve në më pak se pesë vjet luftë tejkalon me tetë herë të gjitha luftërat sovjetike dhe ruse që nga Lufta e Dytë Botërore. Në periudhat më të rënda (fundi i vitit 2024 dhe 2025), Rusia pësoi mbi 15,000 të vrarë në muaj (rreth 500 në ditë).
Barra e luftës është jashtëzakonisht e pabarabartë. Në rajonet e varfra të Rusisë lindore Buryatia, Tuva, vdekjet në luftë përbënin një të tretën e të gjitha vdekjeve të burrave të moshës 18-49 vjeç, krahasuar me vetëm 10% në Moskë dhe Shën Petersburg.
Burime pranë Kremlinit bëjnë me dije se këto humbje marramendëse vetëm sa e ngurtësojnë vendosmërinë e Vladimir Putinit, pasi ai refuzon të pranojë diçka më pak se qëllimet e tij fillestare për të mos u dukur si "tradhti".
Ky zbulim vjen pikërisht kur delegacionet e larta të Rusisë dhe Ukrainës pritet të takohen këtë të martë në Abu Dhabi për bisedimet e para të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në nëntë muajt e fundit.
Në bisedime nuk do të marrin pjesë Putini apo Zelensky, por do të jenë të pranishëm të dërguarit e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Negociatat do të përqendrohen te siguria pas luftës dhe çështjet humanitare, ndërsa qeveritë evropiane kanë shprehur shqetësim se Moska mund të përsërisë kërkesat e saj për reduktimin e pranisë së NATO-s në kufijtë rusë.



