Një shqiptar mbeti i vrarë në Baldissero D’Alba, në Itali, pas të shtënave në një banesë ku dyshohet se kishte hyrë për të vjedhur. 36-vjeçari Gjovalin Lazri, jetonte në Torino dhe drejtonte një bar në zonën veriore të qytetit. Lazri ishte gjithashtu baba i një fëmije.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi pasi shqiptari kishte hyrë në oborrin e një banese në rikonstruksion së bashku me pesë persona të tjerë. Pronari i shtëpisë, 35-vjeçari Roberto Mollo ndodhej vetëm në banesë dhe mori armën e tij pasi kuptoi se në pronë kishte persona të tjerë.
Sipas hetimeve, Mollo qëlloi disa herë me një pistoletë gjysmë-automatike në drejtim të grupit. Një prej plumbave goditi Lazrin, i cili mbeti i vdekur në vendngjarje. Autoritetet italiane po vijojnë të hetojnë dinamikën e plotë të incidentit dhe rrethanat në të cilat u përdor arma. Mediat italiane raportojnë gjithashtu se 36-vjeçari shqiptar kishte precedent penal për vepra kundër pronës.



