Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se kishte vendosur të tërhiqte planin për një sulm ndaj Iranit, pas kërkesave të ardhura nga Teherani dhe disa vende të tjera të Lindjes së Mesme. Sipas tij, vendimi u mor me kusht që të arrihej një marrëveshje e shpejtë që garanton hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor nga Irani.
Kam rënë dakord të tërheq sulmin, me kërkesë të Iranit dhe vendeve të tjera të rajonit. Kushti është i qartë: hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit dhe fundi i kërcënimit bërthamor iranian.
Ai theksoi se administrata e tij mbetet e gatshme të përdorë të gjitha mjetet nëse nuk respektohen kushtet e vendosura, por shtoi se diplomacia mbetet rruga më e mirë për të shmangur një përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Ne duam paqe, por nuk do të lejojmë që Irani të kërcënojë sigurinë ndërkombëtare apo lirinë e lundrimit në Hormuz”, deklaroi Trump.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më strategjike në botë për transportin e naftës dhe çdo bllokim i saj mund të ketë pasoja të mëdha për tregjet globale të energjisë.



