Marine Le Pen, liderja e së djathtës ekstreme në Francë dhe figura kryesore e partisë Tubimit Kombëtar, deklaroi se NATO duhet të përqendrohet më shumë në luftën kundër islamizmit radikal sesa në prioritetet aktuale të sigurisë.
“NATO duhet të riorientohet drejt luftës kundër fundamentalizmit islamik, i cili besoj se është një nga rreziqet më të mëdha me të cilat përballen të gjitha vendet”, tha ajo në një intervistë për BFMTV.
Le Pen, e cila ka qenë disa herë kandidate për presidente të Francës, nuk sqaroi nëse e konsideron kërcënimin islamist më urgjent sesa frenimin e Rusisë, ndërsa partia e saj ka mbajtur qëndrime të paqarta për mbështetjen ndaj Ukrainës që nga nisja e pushtimit rus.
Ajo përsëriti gjithashtu premtimin për të tërhequr Francën nga komanda e integruar ushtarake e NATO-s nëse fiton zgjedhjet presidenciale të ardhshme, duke theksuar se vendi do të mbetet pjesë e aleancës.
Franca e ka ndërmarrë një hap të tillë edhe më parë: në vitin 1966, presidenti Charles de Gaulle e largoi vendin nga komanda ushtarake e integruar e NATO-s, ndërsa rikthimi ndodhi në vitin 2009 nën drejtimin e Nicolas Sarkozy.
Megjithatë, brenda partisë së saj ka pasur tone më të moderuara. Presidenti i Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella, ka deklaruar më herët se Franca nuk duhet të ndryshojë angazhimet e saj ushtarake gjatë kohës që lufta në Ukrainë vazhdon.
Pavarësisht kritikave ndaj NATO-s, drejtuesit e partisë kanë siguruar aleatët se Franca do të vazhdojë angazhimet në krahun lindor të Europës, përfshirë misionet ushtarake në Romania, Estonia dhe vendet baltike.



