Një grua italiane humbi jetën dhe rreth 1,700 turistë u evakuuan pas një zjarri të madh që përfshiu resortin “Viva Wyndham Dominicus Beach” në Bayahibe të Republikës Dominikane.
Viktima u identifikua si Francesca Valentino, 46 vjeçe, ndërsa autoritetet njoftuan se tre persona u transportuan në spital dhe gjashtë të tjerë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje.
Pamjet e publikuara nga mediat lokale treguan re të dendura tymi dhe flakë që përfshinë çatinë prej kashte të resortit. Sipas autoriteteve, zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të materialeve të ndezshme të çatisë dhe erërave të forta.
Flakët janë vënë nën kontroll, ndërsa hetimet për shkaqet e zjarrit vijojnë. Turistët janë sistemuar në hotele të tjera pranë zonës, ndërsa aktiviteti turistik në Bayahibe vazhdon normalisht.
Republika Dominikane mbetet destinacioni më i vizituar turistik në Karaibe, me rreth 5.6 milionë vizitorë gjatë pesë muajve të parë të vitit.



