Më shumë se 1400 qytetarë nga vende të ndryshme afrikane po luftojnë përkrah forcave ruse në Ukrainë, deklaroi të premten ministri i Jashtëm i Kievit.
Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia është përpjekur që të rrisë forcën me të cilën sulmon fqinjin e saj më të vogël, duke rekrutuar luftëtarë nga një sërë vendesh, ndonjëherë përmes dredhive.
Ministri Andriy Sybiha shkroi në X se Rusia po i joshte afrikanët të nënshkruanin kontrata që ai i përshkroi si “të barasvlershme me një dënim me vdekje” dhe u bëri thirrje qeverive afrikane të paralajmërojnë qytetarët e tyre.
Qytetarët e huaj në ushtrinë ruse kanë një fat të trishtuar. Shumica e tyre dërgohen menjëherë në të ashtuquajturat sulme si mish për top, ku vriten shpejt.
Afrika e Jugut tha të enjten se do të hetojë se si 17 nga qytetarët e saj iu bashkuan forcave mercenare pasi ata dërguan thirrje për ndihmë që të ktheheshin në shtëpi.
Kenia tha muajin e kaluar se disa nga qytetarët e saj ishin ndaluar në kampe ushtarake në të gjithë Rusinë, pasi pa e ditur ishin përfshirë në konflikt.
Sybiha shtoi se numri i përgjithshëm i rekrutëve afrikanë mund të jetë më i lartë se 1436 të identifikuar, me origjinë nga 36 vende, dhe se shumica e mercenarëve të huaj në paraburgim ukrainas ishin kapur gjatë misionit të tyre të parë luftarak.
Ai tha se Ukraina do të ofrojë informacione më specifike në lidhje me vendet dhe rajonet nga të cilat Rusia ka rekrutuar trupa.
Më herët këtë vit, ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se rreth 6000 ushtarë të Koresë së Veriut vdiqën duke luftuar kundër Ukrainës, duke përbërë më shumë se gjysmën e 11.000 trupave të dërguara fillimisht në Kursk.



