Një shtetas kinez është dënuar me një vit burg për përpjekje për të kontrabanduar mijëra milingona të gjalla mbretëreshë jashtë Kenias.
Një gjykatë në Nairobi e gjobiti Zhang Kequn me një gjobë prej 1 milion shilingash keniane (rreth 5,713 paund ose 7,737 dollarë). Gjyqtarja Irene Gichobi e përshkroi burrin si jo “plotësisht të sinqertë” dhe pa shenja pendese.
Muajin e kaluar, Zhang u akuzua për tregti të paligjshme të specieve të faunës së egër, pasi u arrestua në aeroportin kryesor të Nairobit, teksa përpiqej të udhëtonte drejt Kinës me më shumë se 2 000 milingona në bagazh.
Autoritetet keniane kanë paralajmëruar për një kërkesë në rritje për këto milingona në Evropë dhe Azi, ku ato vlerësohen shumë nga koleksionistët. Çmimi i tyre mund të arrijë rreth 220 dollarë (170 paund) për copë.
Në vendimin e saj, gjykata thekson rritjen e rasteve të tregtisë së sasive të mëdha të milingonave dhe efektet negative ekologjike.
Pas përfundimit të dënimit me burg, Zhang do të deportohet në vendin e tij të origjinës.
Fillimisht, Zhang deklaroi pafajësinë për akuzat, përfshirë tregtinë e kafshëve të gjalla, por më vonë u vetëdeklarua fajtor.
Ai I kishte blerë milingonat nga një shtetas kenian, Charles Mwangi, me çmim 10 000 shilinga keniane (rreth 58 paund ose 77 dollarë) për çdo 100 copë.
Edhe Mwangi është akuzuar për këtë çështje dhe aktualisht ndodhet i lirë me kusht.
Në një rast të ngjashëm vitin e kaluar, një gjykatë keniane dënoi katër persona – dy belgë, një vietnamez dhe një kenian – me një vit burg ose gjobë prej 7,700 dollarësh (5,800 paund) për përpjekje për të kontrabanduar mijëra milingona mbretëreshë jashtë vendit.
Sipas raportimeve, insektet ishin të destinuara për koleksionistë në Evropë dhe Azi.



