
SHBA-të do të ofrojnë mbështetje "më të kufizuar" për aleatët e tyre, sipas Strategjisë së re të Mbrojtjes Kombëtare të Pentagonit.
Në një ndryshim të rëndësishëm në prioritetet e saj të sigurisë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tani e konsideron sigurinë e atdheut, pra të SHBA-ve dhe Hemisferës Perëndimore, jo Kinën, si shqetësimin e tij kryesor.
Për krahasim, versionet e mëparshme të strategjisë së mbrojtjes, të publikuara një herë në katër vjet, e konsideroni kërcënimin që vjen nga Kina si përparësinë kryesore të mbrojtjes për SHBA-në.
Strategjia e re përforcon komentet e fundit të bëra nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke përfshirë thirrjet për një “ndarje më të madhe të barrës” nga aleatët e SHBA-së në përballjen me kërcënimet e paraqitura nga Rusia dhe Koreja e Veriut.
Raporti i ri prej 34 faqesh vjen pas botimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së vitin e kaluar, e cila tha se Evropa përballej me kolaps civilizimi dhe nuk e paraqiti Rusinë si një kërcënim për SHBA-në.
Në atë kohë, Moska tha se dokumenti ishte "kryesisht në përputhje" me vizionin e saj. Në krahasim, në vitin 2018, Pentagoni i përshkroi "fuqitë revizioniste", si Kina dhe Rusia, si "sfida qendrore" për sigurinë e SHBA-së.
Strategjia e re u bën thirrje aleatëve amerikanë të ndërmarrin hapa, duke thënë se partnerët kanë qenë "të kënaqur" që e kanë lejuar Uashingtonin të subvencionojë mbrojtjen e tyre, megjithëse mohon se ndryshimi sinjalizon një lëvizje të SHBA-së drejt "izolacionizmit".



