Një gjykatë në Paris e ka shpallur ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy fajtor për “konspiracion kriminal”, por e ka liruar nga akuzat për korrupsion pasiv dhe përvetësim në financimin e dyshuar libian nga regjimi i Muammar Gaddafit, të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007.
Kryetarja e trupit gjykues, Nathalie Gavarino, shpjegoi se ai ishte fajtor për konspiracion kriminal sepse i kishte lejuar bashkëpunëtorët e tij të ngushtë të vepronin me qëllim marrjen e mbështetjes financiare nga regjimi libian.
Claude Gueant, ish-menaxheri i fushatës së Nicolas Sarkozy, është shpallur fajtor për konspiracion kriminal, korrupsion pasiv, ushtrim të ndikimit pasiv, falsifikim dhe përdorim të falsifikimit, si dhe pastrim parash të rënduar në rastin e dyshimeve për financim nga Libia.
Ish-ministri i Brendshëm Brice Hortefeux u shpall fajtor për konspiracion kriminal. Ai u ndoq gjithashtu penalisht për bashkëpunim në financimin e paligjshëm të fushatës.



