
Të paktën 100 persona mbetën të plagosur pas një breshërie raketash balistike iraniane që goditën qytetet Arad dhe Dimona në jug të Izraelit, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore dështuan të ndalonin të paktën dy predha.
Sipas autoriteteve, dhjetëra të plagosur janë në gjendje të rëndë, përfshirë edhe fëmijë. Në Dimona u raportuan të paktën 27 të lënduar, ndërsa në Arad mbi 60, me dëme të mëdha në ndërtesa dhe zjarre në zona banimi.
Ekipet e emergjencës shpallën gjendje me viktima masive në spitalin Soroka Medical Center, ndërsa raportohet për persona të bllokuar nën rrënoja. Ushtria izraelite ka nisur hetime për dështimin e kapjes së raketave.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e cilësoi situatën si “një mbrëmje shumë të vështirë”, duke paralajmëruar reagim të ashpër ndaj sulmeve.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike konfirmoi se nuk ka shenja dëmtimi në objektet bërthamore në zonë dhe nuk janë regjistruar nivele të rrezikshme rrezatimi.



