
Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar dhe sekuestruar një anije mallrash me flamur iranian që po përpiqej të kalonte bllokadën e porteve të Iranit, tha Donald Trump, transmeton BBC.
Anijes iu dha “paralajmërim i drejtë për t’u ndalur” në Gjirin e Omanit dhe, pasi refuzoi, marina “i ndaloi ata menjëherë duke hapur një vrimë në dhomën e motorit”, thotë Trump, duke shtuar se anija është nën “kujdestari” të SHBA-së.
Ndërkohë, Trump tha se përfaqësues të tij do të shkojnë në Pakistan të hënën për negociata. Delegacionin amerikan do ta udhëheqë Zëvendëspresidenti JD Vance, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Por media shtetërore iraniane mohon raportet për negociata të reja me SHBA-në në Pakistan, ndërsa nuk ka pasur ende një sqarim zyrtar të Iranit mbi qëndrimin e tij.
Trump gjithashtu kërcënon të godasë termocentralet dhe urat iraniane nëse nuk arrihet një marrëveshje, pjesë e një serie kërcënimesh lidhur me negociatat.



